Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme 2 Komente

Postuar më 03 Sep 2011 në ora 8:38pm

Çdo personi në moshën ripodhuese, i ndodh që së paku një herë në jetë të jetë infektuar nga infeksionet në organet gjenitale. Përmasat e këtij problemi nuk janë të njohura plotësisht, por mund të thuhet se në vëndet në zhvillim renditen në pesë sëmundjet më të përhapura.


Shumë nga këto infeksione kanë shenja klinike, të cilat e lehtësojnë diagnostikimin dhe trajtimin e tyre. Por ka edhe infeksione që nuk shfaqin shenja klinike, duke vështirësuar diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.

Në këto kushte, është detyrë e gjithësejcilit të mësoj mbi këto infeksione dhe të jetë i hapur me partnerin dhe mjekun, në mënyrë që të reduktoj mundësinë e marrjes apo të transmetimit të tyre. Njerzit shpesh ngurojnë të kërkojnë informacion dhe ndihmë, pa ditur se koha është vendimtare në trajtimin e tyre dhe pa ditur pasojat që ato lenë, nëse trajtimi vonohet.

Shumica e infeksioneve trajtohen pa vështirësi dhe sa më shpejt personi, i cili dyshon se ka infeksion të kërkojë trajtim dhe të njoftoj partnerin, aq më e vogël është mundësia që infeksioni të shkaktoj dëme të pakorrigjueshme, të përhapet tek partneri ose të kalojë nga nëna tek foshnja.

Kush janë shkaktarët e IST-ve?
Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST), shkaktohen nga mikroorganizma që futen në organizëm, duke u munduar t’i rezistojnë aftësisë së organizmit për t’i luftuar këto infeksione. Kur shtamet futen në organizëm, në disa raste mund të zhvillojnë sëmundje akute.

Në rastet e tjera, shtame të ndryshme mund të sjellin dëme, që me kalimin e kohës mund të kthehen në dëme të përhershme dhe të rënda.

Mikroorganizmat që shkaktojnë IST-të, mund të jenë: viruse si; në rastin e HIV-it, hepatitit, kondilomave, herpesit gjenital, bakterie si; klamidia, gonoreja, sifilizi, protozoarë si; trikomonas dhe parazitë si; morrat pubikë.

A janë IST-të një problem që u takon të gjithëve?
Apsolutisht po. IST-të janë problem i të gjithëve, sepse mund të infektojnë çdo njeri që kryen raporte dhe aktivitet seksual të pa mbrojtur. Infektimi nuk varet nga raca, gjendja ekonomike, mosha, seksi apo edhe nga fakti që raportet seksuale kanë ndodhur me persona të të njëjtit seks apo me seks të ndryshëm.

A janë të rrezikshme IST-të?
Prania e IST-ve, mund ta dëmtojë rëndë shëndetin riprodhues femëror dhe mashkullor dhe shumica e IST-ve, me kalimin e kohës mund të japin pasoja si sterilitet apo tumore të ndryshme.

Nëqoftëse IST-të diagnostikohen në kohë, atëherë pasojat mund të parandalohen. Nëqoftëse nuk diagnostikohen apo kurohen në mënyrë sipërfaqësore mund të prishin komoditetin e jetës personale dhe shoqërore duke shkaktuar vuajtje psikologjike.

Prania e një IST-je, e bën organizmin më të ndjeshëm për të lejuar depërtimin e virusit HIV (virusi që shkakton AIDS-in), që është një nga infeksionet më të rrezikshme.

Kush rrezikon më shumë nga këto infeksione?
Disa mënyra të jetuarit dhe e të sjellurit, ndihmojnë dhe lehtësojnë transmetimin e infeksioneve tek disa persona apo grupe të popullsisë. Më të ekspozuarit ndaj rrezikut për të kontaktuar IST, janë zakonisht moshat nën 25-së vjeç, vajzat që kanë patur raportin e parë seksual para moshës 17 vjeçare e veçanërisht kur këtë raport e kanë kryer me djem që nuk e kanë raportin e parë seksual, djemtë që kanë raportin e parë seksual me femra që nuk e kanë raportin e parë seksual, personat që praktikojnë disa partner seksual, personat që kanë kryer raport me një partner që ka patur ose ka një IST, përdoruesit e drogave dhe pijeve alkoolike, personat e dhunuar seksualisht, personat që kanë kryer një raport seksual të pambrojtura me persona të rastësishëm.

Pra, çfarë janë IST-të?
IST-të janë infeksione që transmetohen kryesisht nëpërmjet raporteve seksuale; vaginale, anale, orale-gjenitale ose nëpërmjet objekteve të përdorura gjatë raporteve seksuale.

Disa infeksione të organeve gjenitale, mund të provokohen nga një rritje anormale e disa shtameve, që jetojnë normalisht në organet gjenitale të organizmit njerzor.

Ekzistojnë edhe inflamacione të provokuara nga shtame të sjella në organet gjenitale, nga përdorimi instrumentave jo sterilë gjatë praktikave mjeksore.

IST-të njihen edhe si sëmundje seksualisht të transmetueshme ose sëmundje veneriane. Termi nuk është i saktë, sepse nuk është sëmundja që transmetohet. Transmetohet infeksioni, i cili mund të degjenerojë në sëmundje.

Të jesh i infektuar, nuk do të thotë se je i sëmurë. Personi i infektuar, mund të duket mirë me shëndet dhe mund t’a transmetojë infeksionin edhe pa u zhvilluar tek ai sëmundja.

Si transmetohen IST-të?
Vetë fjala e shpjegon se këto infeksione, transmetohen nëpërmjet kontaktit me rrugë seksuale.

Mikroorganizmat futen në brëndësi të organizmit nëpërmjet spermës, sekrecioneve vaginale apo gjakut, nëpërmjet kontaktit të mukozave që veshin pjesët intime ose nga goja ose anusi. Gjithashtu IST-të, transmetohen edhe nga kontakti direkt të lëkurës me lëkurë.

Disa IST, mund të transmetohen nga nëna tek fetusi gjatë shtatzënisë apo lindjes si dhe nga nëna tek neonati nëpërmjet gjidhënies.

IST-të nuk mund të ngjiten nëpërmjet spërklave të pështymës të dala nga tështima apo kolla, në ambjentet publike, në zyrë dhe gjatë takimeve sociale në përgjithësi si në mjetet e transportit apo ambjentet e përbashkëta publike. Gjithashtu IST-të nuk transmetohen nga insektet, mizat, nga kafshët shtëpijake apo nga përdorimi i përbashkët i pajisjeve të tualetit.

Pas sa kohësh manifestohet infeksioni?
Koha e domosdoshme përpara se të shfaqen simptomat dhe shenjat e një infeksioni (që quhet periudha e inkubacionit), mund të jetë e ndryshme dhe verion nga disa ditë në disa vite. Diapazoni i kohës së inkubacionit, varet nga karakteristikat e mikroorganizmit sa ai është “agresiv” dhe nga rezistenca natyrore e trupit të infektuar.

A ekziston mundësia e parandalimit të këtyre infeksioneve?
Po, mundësia e parandalimit të IST-ve ekziston. Përdorimi i perzevativit në raporte seksuale, është rruga më efektive për të parandaluar infektimin nga IST-të. Raportet e mbrojtura me prezervativ, janë shumë të rëndësishme sidomos në fillimin e një relacioni të ri kur nuk njihet gjendja shëndetsore e partnerit dhe eksperiencat e tij seksuale.

Pas 3 deri në 6-të muaj raportesh të mbrojtura me perzevativ, të dy partnerët mund t’i nënshtrohen një vizite mjeksore dhe disa testeve laboratorike përfshirë edhe testin HIV. Nëqoftëse për të dy partnerët nuk ka prani të një IST-je dhe nëqoftëse janë dhe mbeten besnik të rapoteve në çift, mund të vendoset të mos përdoren prezervativët duke i kujtuar të zgjedhin një metodë kontraceptive për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar.

A shërohen IST-të?
Nëse trajtohen shpejt dhe në mënyrë korrekte, IST-të në shumicën e rasteve janë të shërueshme. Nëse lihen pas dorë, ato sjellin dëme të rënda. Ka edhe sëmundje siç është infeksioni nga HIV-i, që nuk janë të shërueshme plotësisht./bebaime/

Lidhje të ngjashme

2 Komente

Pings dhe Trackbacks

Komento