Problemet që lindin nga pastërtia0 Komente

Postuar më 05 Sht 2011 në ora 3:24pm

Më parë ishte papastërtia dhe higjiena e pakët që sillnin sëmundjet dhe vdekjen. Tani është steriliteti i ekzagjeruar që shkakton sëmundjet dhe vdekjet

Fiksimi i pastërtisë është treguesi i një sëmundjeje tipike e qytetërimit tonë. Më parë ishte papastërtia dhe higjiena e pakët që sillnin sëmundjet dhe vdekjen. Tani është steriliteti i ekzagjeruar që shkakton sëmundjet dhe vdekjet. Gjithçka që është organike që vepron në mënyrë kaotike, shumëllojshmëria, krijimi individual i pakontrolluar i njeriut dhe vegjetimi spontan i natyrës, konsiderohen të pista, kaotike dhe të rrezikshme; ndërkohë që steriliteti i ekzagjeruar sjell vdekjen.

Bashkëpunëtoret më të forta janë reklamat që tregojnë shtëpi të pastra e të rregullta duke reklamuar produktet e pastërtisë e duke i nxitur shtëpiaket t’i blejnë ato, më pas të bëjnë krahasimin. Sipas studimeve të fundit, nga kjo “sindromë” vuajnë shumë femra. Kjo “sëmundje” krijon një rreth vicioz negativ ku personi jeton vazhdimisht me terrorin se e kalon jetën në pisllëk, ndaj lan vazhdimisht duart, ose pastron ambientin ku jeton dhe punon. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet: nga raportet seksuale tek ato ndërpersonale, por nuk përjashtohen edhe marrëdhëniet me veten. Pra nëse lani shpesh duart ose mbani gjithmonë në xhep letra të lagura, për t’u pastruar sa herë që prekni ndonjë gjë, atëherë është momenti t’i bëni një pyetje vetes: a është normale dhe e rëndësishme e gjithë kjo? Duke u bazuar te një studim shkencor i publikuar së fundmi, higjiena e tepërt ka efekt të kundërt, ose më saktë na bën më të prekshëm ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve.

Mos vallë fiksimi për rregullin dhe pastërtinë është një sëmundje? Nga lind kjo mani? Përse këta njerëz kanë nevojë të jenë të rrethuar nga ambiente shumë të pastra dhe të rregullta? Shumë njerëz përpiqen t’i kuptojnë këta të fiksuar, sepse sjellja e tyre është vërtet për t’u urryer. Për sa u përket atyre, nuk u mjafton kjo mënyrë jetese acaruese, por përpiqen me të gjitha mënyrat t’ua injektojnë edhe të tjerëve, duke i bërë të ndihen gjithmonë inferiorë ndaj tyre. Nëse personi që vuan nga ky shqetësim nuk bën asnjë përpjekje për të ndihmuar veten, nuk konsultohet me një ekspert, jeta shtëpiake, prioritetet, higjiena personale, të drejtat dhe detyrat e gjithë pjesëtarëve të familjes, do të kushtëzohen nga pastërtia. Gjëja më e çuditshme është se shpesh këta njerëz e kuptojnë këtë normalitet, por nuk mund të bëjnë asgjë për ta larguar. Çfarë fshihet pas këtij fiksimi? Cilat janë mekanizmat që i shkaktojnë këto mani? Çfarë i bën këta persona t‘u japin rëndësi gjërave që nga ana objektive janë pak ose aspak të rëndësishme? Për të zbuluar këtë enigmë është e nevojshme të kërkojmë në të kaluarën e këtyre njerëzve, ku mesa duket ky shqetësim ishte i pranishëm edhe pse në formë më pak të dukshme.

Sipas një psikiatri, bëhet fjalë për një shqetësim maniak. Personi i prekur nga kjo anomali përpiqet të kontrollojë ankthin dhe frikën “se mos infektohet” duke përdorur rituale ku përsëritja e gjërave krijon një lloj sjelljeje që e qetëson, duke ditur se ka bërë të pamundurën për ta larguar këtë pasiguri. E njëjta gjë ndodh edhe me rregullin. Në fakt, pak rrëmujë na bën mirë, sepse rritet fleksibiliteti, krijimtaria dhe veçanërisht efikasiteti. Për rrëmujaxhinjtë ka shumë paragjykime, por me kaosin e tyre shpesh ata arrijnë të fitojnë kohë dhe para. Gjithsesi, nëse do të kërkonim avantazhet e rrëmujës do të ishte e vështirë të nxirrnim diçka të re. Kush e ka studiuar me kujdes rrëmujën thotë se ajo favorizon shkathtësinë, krijimtarinë dhe fuqinë. Gjithashtu, kursen kohën dhe paratë.

Le t’i kthehemi edhe një herë pastërtisë. Duke qenë se nuk janë të vetmit, fiksimi për pastërtinë është shumë i përhapur mes atyre që e vuajnë këtë shqetësim. Në fakt këta persona mendojnë se janë në rregull me botën e jashtme dhe njerëzit që i rrethojnë. Etiologjia e kësaj patologjie duhet kërkuar te një ngjarje e rëndë traumatike që mund t’i ketë ndodhur personit kohë më parë. Këtu ndikojnë edhe faktorët e jashtëm. Patologjia mund të shfaqet edhe si tipar në karakter. Ajo vërehet zakonisht në një formë tjetër dhe me raste, kur personi është i tensionuar dhe për ta kapërcyer këtë gjendje, u futet me kokë punëve të shtëpisë. Ankthi ose frika që janë aq të dobët, i bën të mos i mbijetojnë një faktori të jashtëm dhe të jenë agresivë (papastërtia mund të shkaktojë sëmundje të cilave u frikësohen: më të tmerrshmet janë ato vdekjeprurëse, siç është SIDA).

Lidhje të ngjashme

Komento