S’bën hiç pa celular?!0 Komente

Postuar më 14 Tet 2011 në ora 2:45pm

Celulari tashmë është bërë mjet i pandarë i adoleshentëve tanë, dhe pjesa dërrmuese e tyre thonë të jenë bërë të varur nga ai. Të rinjtë celularin e përdorin edhe në orët e mësimit, gjë që shkakton edhe problem tek mësimdhënësi për faktin se një pjesë e tyre atë e përdorin edhe si mjet loje.

Shumë herë është marrë vendim që në orët e mësimit të mos përdoret celulari, mirëpo kjo është e kotë, ngase të rinjtë tanë tani nuk munden pa të.

S’e paramendojnë jetën pa celular

Arbëresha Sinani është shumë e varur nga telefoni, derisa kohë më parë ajo nuk ka qenë adhuruese e tij, ndërsa me kalimin e kohës dëshira për celularin iu është rritur shumë. “Më parë nuk kam qenë shumë e dhënë pas celularit, ndërsa tani jam shumë. Them se nuk e paramendoj jetën pa telefon, sepse me të mund të kryej shumë punë.

Më shumë më tërheqin SMS-të, ku pjesën dërmuese të ditës e kaloj duke shkëmbyer mesazhe me shoqet e mia. Kjo më duket si një lloj dëfrimi që më sjellë shumë kënaqësi në jetën time”, thotë ajo. Përveç të folurit në celular Kushtrim Sfishta thotë se telefonin e përdorë shumë edhe për të dëgjuar muzikë.

“Më ndodhë që celularin ta mbajë me orë të tëra në duar për të dëgjuar muzikë. Besoj se kjo është mënyra më e mirë për të kaluar kohën nën tingujt e muzikës që preferon më së shumti. Telefonin e përdori edhe për të shkëmbyer porosi, ndërsa për të folur më pak.

Më shumë më pëlqen të komunikoj me SMS, dhe kjo është edhe pjesë e argëtimit me shokët e mi”, shton ai. Kushtrimi nuk e mohon faktin se tani është bërë e tepërt përdorimi i telefonit nga të rinjtë, si dhe tek disa kjo edhe shkakton çrregullim në rrethin ku ndodhet.

“Pjesa dërmuese e të rinjve mendoj se po e teprojnë me përdorimin e celularëve, sepse disa përveç që prishin rendin dhe qetësinë në shkolla, shpeshherë po arrijnë të ndërprenë edhe orët mësimore për shkak se mësimdhënësit nuk po mund t’i durojnë nxënësit duke përdorur telefonin” shprehet ai.

Konflikt me prindërit

Disa të rinj përveç problemeve që sjellin me përdorimin e celularëve, shpeshherë kanë konflikte edhe me prindërit për shkak të shpenzimeve që i bëjnë me të. Arbër Paqarada është shpenzues i madh i telefonit.

“Shumë herë mundohem ta kursej telefonin, mirëpo e kam të pamundur. Shpenzoj mjaft shumë në celular dhe për këtë shpeshherë kam konflikt me familjen. Mirëpo jam i tillë dhe e kam kuptuar se jam shumë i varur nga telefoni.

Pjesën dërmuese të kohës e kaloj duke biseduar me shokët dhe shoqet e mia. Telefoni më duket si një mënyrë për t’u disponuar, andaj them se nuk mundem pa të”, thotë ai. Pra celulari sa është i dobishëm ashtu edhe i dëmshëm për adoleshentët tanë, mirëpo ja që tani është pjesë e jetës së tyre që nuk munden pa të./zëri/

Lidhje të ngjashme

Komento