Vizita e parë te gjinekologu0 Komente

Postuar më 25 Gus 2012 në ora 11:32pm

Shumica e grave vizitën e parë (dhe njëkohësisht më të gjatë) e kanë midis javës 8 dhe 12 të shtatzënisë. Sa më herët aq më mirë. Përgatituni dhe ndani mjaft kohë për këtë vizitë, sepse mjeku do t’ju merr anamnezën në hollësi dhe do t’ju bëjë një ekzaminim me ultrazë.

Vizita e parë te gjinekologu

Gjatë kësaj vizite mjeku do t’ju bëjë pyetje rreth shëndetit tuaj, për sëmundjet ose operacionet që keni pasur gjatë jetës, për shtatzënitë ose abortet që keni pasur. Mjeku do të dijë nga ju nëse mjekoheni për ndonjë sëmundje kronike si për shembull sëmundja e sheqerit apo shtypja e lartë e gjakut.

Tregoni mjekut nëse keni pasur ndonjë komplikim në shtatzënitë e përparme si për shembull preeklampsia ose lindja e parakohshme.Mjeku do t’ju pyesë edhe për familjen tuaj dhe të burrit tuaj (për shembull a ka në familjen tuaj binjakë apo a ka dikush ndonjë sëmundje të trashëgueshme).

Mjeku duhet të dijë nëse dikush në familjen tuaj ka pasur fëmijë me anomali si për shembull spina bifida ose a keni në familje sëmundje të trashëgueshme si talasemia apo fibroza cistike.Mjeku do t’ju bëjë pyetje edhe për punën që bëni ju dhe burri juaj. Do t’ju pyesë se ku banoni për të marrë vesh se a ka ndonjë rrethanë që mund të ndikojë në shtatzëni.

Të gjitha këto informacione shfrytëzohen për të pasur një pasqyrë për ju dhe për shtatzëninë, ashtu që në rast se ka ndonjë rrezik të veçantë të sigurohet përhrahje në këtë drejtim.

Mjeku do t’ju pyes për ditën e parë të menstruacioneve të fundit, për të kalkuluar terminin e lindjes. Edhe ju keni mundësi që të bëni shumë pyetje. Kjo vizitë është një mundësi e mirë për të bërë pyetje.

Është mirë që pyetjet t’i shkruani para se të shkoni tek mjeku, sepse mund të ndodhë që të harroni ndonjë gjë. Është më rëndësi të merrni përgjigje për ato që doni të dini dhe t’i tregoni preferencat dhe emocionet e juaja.

Pesha trupore

Që nga ky moment, gjatë çdo vizite mjeku do t’ju kontrollojë peshën tuaj trupore. Shumica e grave gjatë shtatzënisë shtojnë 10 deri 12.5 kilogramë dhe atë zakonisht pas javës së 20.

Shumica e peshës vjen nga bebja që po rritet brenda jush, por edhe trupi juaj shton në peshë për të qenë i gatshëm për ushqyerjen me gji pas lindjes.

Gjatësia trupore

Në vizitën e parë do të matet gjatësia juaj trupore, sepse në këtë mënyrë merret një informacion për gjerësinë e pelvikut tuaj. Gratë me shtat të shkurtër kanë pelvik të vogël dhe ndonëse zakonisht lindin fëmijë të vegjël, është e nevojshme ta diskutojnë me mjekun mënyrën e lindjes.

Ekzaminimi i përgjithshëm

Mjeku do të kontrollojë zemrën dhe mushkëritë për t’u vërtetuar se shëndeti i përgjithshëm është i mirë.

Analiza e urinës

Në çdo vizitë, mjeku do të kërkojë nga ju që të bëni analizën e urinës. Kjo bëhet për të përcaktuar këta parametra:

  • Sheqeri – gratë shtatzëna kohë pas kohe mund të kenë sheqer në urinë, por nëse sheqeri haset në vazhdimësi, ju do të kontrolloheni se mos keni sëmundjen e sheqerit (diabetin). Disa gra gjatë shtatzënisë zhvillojnë një lloj të diabetit që quhet “diabet gestacional” i cili mund të kontrollohet gjatë shtatzënisë. Diabeti mund të kontrollohet me dietë ose me insulinë. Zakonisht diabeti gestacional tërhiqet pas lindjes së bebes.
  • Proteinat – ose “albuminat” në urinë tregojnë se ju keni infeksion i cili patjetër duhet të mjekohet. Poashtu, prania e proteinave është shenjë e hipertensionit të indukuar nga shtatzënia

Shtypja e gjakut

Shtypja e gjakut do t’ju matet gjatë çdo vizite. Nëse shtypja rritet në fund të shtatzënisë, mund të jetë shenjë e preeklampsisë.

Analizat e gjakut

Do t’ju bëhet analiza e gjakut. Këto analiza bëhen për këto arsye:

  • Për ta caktuar grupin e gjakut;
  • Për të parë a e keni grupin e gjakut rhesus (Rh) pozitiv apo negativ – disa nëna janë Rh negative. Kjo gjë nuk paraqet problem në shtatzëninë e parë. Nëse grupi i gjakut i bebes është Rh pozitiv, pas lindjes nënës i jepet një injeksion për të mbrojtur fëmijën e ardhshëm nga anemia. Në disa raste nënave Rh negative iu jepet ky injeksion (Rhogamm) në javën 28 deri 34 të shtatzënisë dhe prapë edhe një herë pas lindjes – kjo siguron që gjaku i fëmijës në shtatzëninë e ardhshme të mos preket nga sëmundja rhesus;
  • Për të parë a jeni anemike – nëse jeni anemike, mjeku do t’ju japë preparate të hekurit dhe tableta acid folik. Nëse keni anemi ju do të jeni e lodhur dhe do ta keni më vështirë gjatë lindjes kur humbni gjak.
  • Për të parë  a keni imunitet ndaj rubellës – nëse prekeni në fillim të shtatzënisë nga rubella, kjo e rrezikon beben shumë seriozisht. Nëse nuk jeni imunizuar ndaj rubellës, analizat e gjakut tregojnë se a jeni infektuar. Nëse jeni e infektuar, mjeku do të diskutojë me ju rreziqet e mundshme që mund të ketë bebja juaj dhe do t’ju propozojë që të ndërpreni shtatzëninë.
  • Sifilizi – është shumë e rëndësishme që sa më herët që është e mundur të zbulohet dhe të trajtohet çdo grua e cila ka këtë sëmundje seksualisht të transmetueshme.
  • Hepatiti B – ky virus mund të shkaktojë sëmundjen e mëlqisë. Mund ta infektojë beben nëse jeni bartëse e virusit ose nëse infektoheni gjatë shtatzënisë. Beba mund të imunizohet pas lindjes për të parandaluar infeksionin, prandaj ju thuhet që të bëni analizën për të parë se mos jeni bartëse e virusit.
  • HIV – ky virus shkakton AIDS-in. Nëse nëna është e infektuar, mund ta bart infeksionin tek bebja gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes ose pas lindjes përmes qumështit të gjirit. Rekomandohet që si pjesë e analizave rutinore të bëhet edhe testi konfidencial për infeksionin me HIV.

Drepanocitoza dhe talasema

Drepanocitoza është sëmundje e gjakut e cila prek kryesisht njerëzit me origjinë nga Afrika dhe më pak njerëzit me origjinë nga Mesdheu, India dhe Lindja e Mesme. Talasemia është një sëmundje tjetër e cila prek kryesisht njerëzit me origjinë nga Mesdheu dhe nga Azia.

Nëse burri juaj është me origjinë nga këto vende, mjeku do t’ju rekomandojë të bëni një test për të parë a jeni apo jo bartëse. Është e mundshme që ju ose partneri juaj të jeni bartës, por pa e prekur beben. Por, nëse ju të dy jeni bartës, ose nëse njëri prej jush vuan nga kjo sëmundje, këtë gjë duhet ta diskutoni me mjekun tuaj.

Ekzaminimi i brendshëm

Në raste të caktuara mjeku mund ta konsiderojë të nevojshme që të bëjë ekzaminim të brendshëm. Diskutoni me mjekun arsyet se pse duhet të bëhet ky ekzaminim. Ky ekzaminim kryhet ashtu që  mjeku fut një ose dy gishta brenda në vaginë, kurse dorën tjetër e vendos mbi barkun tuaj. Në këtë mënyrë mjeku mund ta vlerësojë moshën gestative të bebes suaj. Shumica e mjekëve sot preferojnë që për këtë qëllim të përdorin ultrazërin.

Pap testi

Nëse Në Tri Vitet E Fundit Nuk Keni Bërë PAPA Test, Mjeku Do T’ju Rekomandojë Që Ta Bëni Në Këtë Vizitë. Me Këtë Test Zbulohen Ndryshimet E Hershme Në Qafën E Mitrës, Nga Të Cilat Nëse Nuk Trajtohen Mund Të Zhvillohet Kanceri. Mjeku Për Të Parë Qafën E Mitrës Fut Në Vaginë Një Instrument Që Quhet Spekulum. Pastaj Merret Testi Nga Qafa E Mitrës Dhe Ekzaminohet Nën Mikroskop. Gjatë Kësaj Procedure Ju Mund Të Keni Pas Diskomforitet, Por Nuk Do Të Ndjeni Dhimbje. Gjatë Kësaj Procedure Nuk Rrezikohet Bebja.

Herpesi

Nëse ju ose burri juaj keni pasur herpes gjenital ose nëse keni atakun e sëmundjes gjatë shtatzënisë, duhet ta informoni mjekun për këtë gjë. Kjo është shumë me rëndësi sepse herpesi mund të jetë i rrezikshëm për beben e posalindur dhe ai ose ajo duhet të mjekohen.

Dr.Memli Morina

Lidhje të ngjashme

Komento