Çfarë është kontracepsioni i urgjencës (kokrra e ditës tjetër), kur duhet marrë dhe si vepron në organizmin femëror?

0 466

Pilula e emergjencës, ose njohur ndryshe si kokrra e ditës tjetër është një përbërje farmacologjike e cila klasifikohet si një kontraceptiv urgjence. Një marrëdhënie seksuale e pambrojtur, e cila konsumohet në periudhën e ovulimit të gruas, pra në periudhën e saj fertile ka një probabilitet të lartë për të shkaktuar një shtatzëni. Për këtë arsye nëse ndodh dicka e tillë, të cilën sigurisht që nuk e doni mund të përdoret kokrra e ditës tjetër, ose siç quhet ndryshe edhe kokrra 72 orëshe. Kjo pilulë nuk duhet të ngatërrohet me RU-486 e cila është një pilulë që shkakton abort (provokon abort kimik).

Kur dhe si duhet të merret kjo kokërr? Kokrra duhet marrë brenda 72 orëve nga marrëdhënia e pambrojtur, dhe mendohet se veprimi i saj është më efikas nëse merret sa më parë të jetë e mundur. Ajo mund të merret në çdo moment duke qënë se nuk dihet momenti i saktë kur gruaja ka ovuluar në momentin që ka ndodhur marrëdhënia.

Si funksionon? Nëse kokrra merret brenda 24 orëve nga marrëdhënia e pambrojtur, efikasiteti i saj i testuar është mbi 95%. Efikasiteti i saj ka tendencë të bjerë me kalimin e kohës për të mos pasur më asnjë efekt pas 72 orësh. Këshillohet që pasi keni marrë kokrrat e emergjencës të përdorni mjete mbrojtëse lokale (prezervativ), kjo deri në ciklin e radhës, pasi ato nuk janë në gjendje t’ju mbrojnë në vazhdimësi, por vetëm për marrëdhënien e pambrojtur që keni pasur në një moment të caktuar. Është mirë që të tregoni kujdes në vazhdimësi për të pasur gjithmonë marrëdhënie të mbrojtura, gjë e cila mund të arrihet me anën e prezervativit, spirales, diafragmës etj, kjo për të shmangur një përdorim tjetër të kokrrave.

Cila është substanca aktive e këtyre kokrrave? Pavarësish emrit komercial, të gjitha pilulat e emergjencës kanë në bazë si substancë aktive levonorgestrelin, i cili është një progrestenik, derivat i nandrolonit, me një dozë prej 1.5 mg. Mund të ndodhë që medikamentin ta gjeni në formën e një kokrre të vetme e cila e ka të përqëndruar në të gjithë substancën aktive, dhe në disa raste ajo mund të jetë e ndarë në dy kokrra. Progresteniku vepron mbi sistemin hormonal të gruas duke ngadalësuar apo ndaluar ovulimin e gruas.

Kjo ndodh pas veprimit të kësaj substance në hipofizë, e cila më pas nuk është më në gjendje të stimulojë vezoret, pa lënë pa përmendur faktin që progresteniku vepron edhe në ambientin vaginal duke e bërë të vështirë futjen e spermatozoidëve dhe takimin e tyre me qelizën vezë. Nëse në trupin e gruas ka ndodhur ovulimi, substanca aktive mund të ndërhyjë në fekondim duke modifikuar mukozën e uterusit, i cili nuk e pranon vendosjen e vezës.

Gjithashtu mund të lexoni
Komentet
Po ngarkohet...

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. AcceptMë shumë