Infeksionet në shtatzëni… Kur e rrezikojnë bebin?

0 61

Një femër gjatë shtatzënisë kalon një kalvar problemesh psiko-fizike të cilat e bëjnë edhe më të vështirë këtë periudhe të jetës. Një ndër problemet më të shpeshta janë infeksionet mykotike vaginale si dhe ato të traktit urinar.

Cilët janë infeksionet më të zakonshme që hasen tek femrat gjatë shtatzënisë?

Shtatzënia është një proces fiziologjik/biologjik normal, mirëpo, për shkak të hormoneve femërore në organizëm (estrogjeni dhe progresteroni, prolaktina që fillon të prodhohet në tremujorin e tretë), ndryshon balanca e hormoneve. Duke ndryshuar balanca e hormoneve, përpos faktit që gruaja ka ndryshesa të humorit të saj, ndryshon edhe pehashi i vaginës.

Në kushte normale pehashi i vaginës është pehash alkalin, ndërsa gjatë shtatzënisë bëhet pehash acid dhe si i tillë na jep infeksione të ndryshme.

Infeksionet më të shpeshta gjatë shtatzënisë janë infeksionet mykotike, apo ajo që quhet soor mykotik, dhe nëse një soor mykotik nuk kapet në kohë/nuk mjekohet në kohë, fillon dhe shtohen bakteret, prishet mikroflora normale e organit gjenital që ruan pehashin dhe ato bëhen më të shumta në numër, dhe nga një soor mykotik, një kolpit i thjeshtë ordiner, shkojmë në kolpite mykobakteriale që duhen trajtuar me çdo kusht.

Pastaj, duke u rritur bebi, nga ana anatomike mitra vetë shtyp fshikëzën e urinës dhe femra mund të bëjë dhe infeksione urinare, të cilat janë bezdisëse dhe shqetësuese për një nënë shtatzënë.

Sa e rrezikojnë bebin këta infeksione?

Nëse nuk kapen dhe trajtohen në kohë, në tremujorin e parë infeksionet bëhen shkak për aborte. Në tremujorin e dytë dhe në tremujorin e tretë ndikojnë në lindjen e parakohshme ose të një bebi nënpeshë. Gjithashtu ndikojnë në aneminë e bebit, pra që ai të bëhet anemik.

Cilat janë ankesat/me çfarë simptomash shoqërohen ato?

Në rastin e infeksioneve mykotike gruaja ankon për të kruajtura nga poshtë, shtim të sekrecioneve, sekrecione të ujshme, më ngjyrë dhe që vijnë erë. Normalisht çdo femër ka sekrecione vaginale të cilat e mbajnë organin të lubrifikuar, por janë të pastra.

Në rastin e infeksioneve urinare, gruaja ankon urinimin e shpeshtë dhe djegie gjatë urinimit. Zakonisht kjo ndodh më shpesh në tremujorin e dytë dhe të tretë sepse vezika urinare shtypet nga mitra, por që duhet të dimë ta dallojmë. Nëse jemi në tremujorin e parë dhe gruaja thotë që urinoj shpesh dhe kam djegie gjatë urinimit, patjetër që duhet të tërhiqet vëmendja e mjekut që të hulumtojë më shumë.

Sa e rëndësishme është higjiena personale në parandalimin e këtyre infeksioneve?

Jo vetëm gjatë shtatzënisë por edhe në jetën e përditshme, higjiena personale është shumë e rëndësishme. Me higjienë personale nuk do të thotë vetëm që femra të lahet mirë, të lajë të brendshmet mirë dhe t’i hekurosi ato. Nëse kjo nuk plotësohet me diçka tjetër, unë mund të them që jemi fare pa rezultat.
Mënyra se si ne lahemi, mënyra e përdorimit të dorës është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Anusi dhe
vagina duke qenë shumë afër, afektojnë njëra tjetrën. Nëse kur lahemi e kalojmë dorën nga para mbrapa, ne marrim infeksione nga mbrapa dhe i kalojmë përpara dhe në këtë mënyrë infeksioni qarkullon, bëhet një rreth vicioz, dhe femra nuk shërohet asnjëherë.

Një gjë tjetër është shumë e rëndësishme, është që femra kur urinon duhet të lahet me sapun. Këshillohet më së shumti që të përdori atë sapun që përdor për larjen e fytyrës. Kjo për shkak se nëse ajo urinon dhe bën vetëm një shpëlarje të lehtë më ujë dhe nuk lahet me sapun, urina bëhet acide/rrit aciditetin e ambientit të vaginës dhe bëhet shkak për thellimin e mëtejshëm të mykut dhe baktereve.

Gjithashtu mund të lexoni
Komentet
Po ngarkohet...