Ky është shpjegimi i mrekullueshëm se pse me të vërtetë “një mollë në ditë mban doktorin larg jush”!

0 110

Molla është një frut në forma dhe ngjyra të ndryshme. Ato gjenden në treg përgjatë gjithë vitit dhe përfaqësojnë një burim të jashtëzakonshëm polifenoli (rreth 22% të sasisë së nevojshmë e marrim nga ky frut). Por tek mollët janë të pranishme edhe sasi të konsiderueshme flavonoidësh. Nga një studim i kohëve të fundit, janë nxjerrë 12 kg flavonoide nga rreth një kuintal mollë të kuqe, të marra në studim me gjithë lëkurë.

Gjithashtu kërkimet kanë arritur në përfundimin se mollët janë burim i shkëlqyer antioksidantësh dhe mbrojnë trupin nga kanceri. Studiuesit bien dakort se mënyra më e shëndetshme e ngrënies së mollëve është më mirë me lëkurë sesa vetëm tulin. Kjo është arsyeja pse të gjithë këshillojnë mollët bio.

Sa i takon listës së vitaminave, mollët përmbajnë: tiaminë (vit. B1), riboflavinë (vit. B2), niacinë (vit. B3), acid folik (vit. B9), vitaminë A dhe vitaminë C. Përmbajnë kripëra minerale si, kalium, hekur, kalcium, fosfor dhe zink. Mollët këshillohen për ata që vuajnë nga koliti, hidratojnë trupin, mund të konsumohen nga diabetikët dhe janë një zgjedhje ideale për ata që duan të bien në peshë. Molla ka aftësi kundër plakjes dhe vepron si antikancer.
Në ndryshim nga frutat e tjera, molla nuk favorizon fermentimin intestinal.

Receta për shëndetin

Gripi:
Për tre ditë hani vetëm mollë. Kështu do të pastroni gjakun dhe forconi mbrojtjen imunitare.

Dhimbjet reumatizmale dhe koliti
Tianina dhe kaliumi që përmban molla, pengojnë krijimin e acidit urik, i cili shkakton reumatizmën. Për këtë pini 4-5 tasa në ditë lëng të përftuar nga lëkura e mollëve të ziera.
Nevojiten 1 tas ujë dhe lëkura e dy kokrrave mollë. Ziejini për 10 minuta, kullojeni dhe pijeni.

Molla në kuzhinë
Molla hahet shpesh e gjallë, por ka me qindra receta kulinare, si për ëmbëlsira ashtu edhe për sallatra. Mund të piqet në furrë, të skuqet, të zihet dhe të gatuhet në avull. E shkëlqyer për torta, sallata dhe salca.

Për fëmijët
Është ushqim shumë i mirë për fëmijët, duke filluar nga muaji i pestë i jetës.

Shumëllojshmëri dhe mirëqenie

Molla e kuqe
Kur dëshironi të humbisni në peshë, molla e kuqe është e jashtëzakonshme. Lëkura e saj përmban piruvat, një substancë që ndihmon në eleminimin e yndyrnave.

Molla jeshile
Ndryshe i thonë fruti i rinisë. Shija e thartë e mollës jeshile, konfirmon praninë e Vitaminës C dhe acideve organike antioksidante, të cilat pengojnë plakjen dhe forcojnë mbrojtjen e organizmit.

Molla e verdhë
Ka efekt antirrudhë dhe bën mirë për lëkurën e fytyrës. Krahasuar me mollën jeshile, molla e verdhë përmban sasi më të larta karotenoidësh, të nevojshëm për mbrojtjen e lëkurës nga rrudhat.

Molla rozë (fuji)
Është e këshillueshme për ata që vuajnë nga koliti. Lëkura e mollëve fuji është e pasur me pektinë, një lloj fibre që nuk irriton mukozat intestinale, duke lehtësuar kështu tretjen.

Molla rëne
Mbron nga kanceri. Nëse është bio dhe hahet më gjithë lëkurë, molla rëne është në gjendje të parandalojë rrezikun nga kanceri deri në 60%. Vetëm tuli e parandalon me 40%.

Molla starkinge
Mbron zemrën dhe venat. Molla starkinge përmban procianidinë, substancë antioksiduese, që ngadalëson plakjen dhe parandalon sëmundjet kardiovaskulare.

Molla dimërore
Hidraton dhe tonifikon. Molla është një prej frutave më të përdorur në kozmetikë. Në mënyrë të veçantë molla dimërore, një varietet i lashtë, është e aftë të rigjallërojë lëkurën, ta hidratojë dhe tonifikojë atë. Fruloni një mollë dimërore me lëngun e një gjysmë limoni dhe dy lugë vaj fare gruri. Lëreni të veprojë për 15 minuta dhe shpërlajeni me ujë të bollshëm. Aplikojeni tre herë në javë.

Pse duhet t’i hamë mollët me gjithë lëkurë?

– Sepse lëkura përmban sasinë më të madhe të fibrave, themelore për mirëqenien dhe tretjen. Një mollë e ngrënë me gjithë lëkurë, përmban mesatarisht 4.4 gr fibra.
– Lëkura përmban pjesën më të madhe të vitaminave, mesatarisht 8.4 miligram Vitaminë C.
– Lëkura përmban kercetinë, një substancë antioksidante me shumë veçori: largon problemet aspiratore, mbron kujtesën dhe nga studimet e fundit, thuhet se është në gjendje të luftojë dëmet në sistemin cerebral, që me kohë mund të zhvillojnë Alzajmerin etj.
– Në lëkurën e mollës ka përmbajtje substancash të konsideruara si antitumorale. Bëhet fjalë për triterpenoidët, që sipas një studimi të kryer në vitin 2007, në Cornell University, vrasin qelizat tumorale, sidomos ato që zhvillohen në mëlçi, zorrën e trashë dhe gji.
– Heq kilet e tepërta. Lëkura e mollëve përmban acid ursolik, përbërës i rëndësishëm për uljen e kilogramëve.

9 arsyet pse duhet të hamë mollë

Molla përmban vitamin C dhe kjo vitaminë ndihmon sistemin tonë imunitar. Përfundim i vërtetuar tashmë.
​Parandalon sëmundjet kardiake. Arsyet lidhen me praninë e flavonoideve, prej kohësh të njohura për efektin e tyre antioksidant.
Ka pak kalori. Një mollë mesatare ka rreth 70-100 kalori. Kur ndjeni dëshirën për një ëmbëlsirë apo çokollatë, mjafton të hani një mollë që kjo dëshirë të largohet. Molla përmban sheqer, por do t’ju japë vetëm çerekun e kalorive, krahasuar me ëmbëlsirat.
Parandalon tumoret. Të gjithë e dimë se tumoret janë të formave të ndryshme dhe sulmojnë organe të ndryshme. Mollët parandalojnë tipe të ndryshme tumoresh, si atë të prostatës, gjirit etj.
Rregullon nivelin e kolesterolit. Molla përmban fenole që kanë efekt të dyfishtë tek kolesteroli. Ulin pra nivelin e kolesterolit të keq dhe ngrenë atë të mirin.
Parandalon kariesin, i cili është një infeksion që dëmton seriozisht strukturën e dhëmbëve. Shkaku kryesor janë bakteret. Lëngu i mollës ka aftësi të vrasë 80% të baktereve. Pra molla i thotë “ik” edhe denstistit.
Mbron nga sëmundjet cerebrale. Pakëkush e di këtë, por kjo është një nga arsyet kryesore. Molla përmban substanca fitoushqyese, që parandalojnë sëmundje si ajo e Alzajmerit dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Molla i bën mirë mushkërive. Një kërkim i kryer në Universitetin e Notingamit, ka vërtetuar se ata që hanë pesë mollë në javë ose më shumë, kanë më pak probleme me frymëmarrjen, përfshirë asmën.
Mollët janë të shijshme. Mund të zgjidhni ndër llojet dhe ngjyrat e ndryshme. Nuk iu pëlqen e kuqe? Atëherë provoni jeshilet ose të verdhat. Shijet janë të ndryshme, por përfitimet të njëjta.

Këshilla e fundit: Hani mollë bio. Pasi t’i keni larë mirë, hajini me gjithë lëkurë. Kështu përftoni të gjitha substancat kuruese që ka.

Gjithashtu mund të lexoni
Komentet
Po ngarkohet...