Nga zemra, kolesteroli e deri tek muskujt, ja cilat janë përfitimet shëndetësore të çiklizmit

Është e këndshme, sidomos gjatë verës, dhe shumë e shëndetshme në të njëjtën kohë. Biçikleta u bën mirë të gjithëve dhe ka një mori avantazhesh për gratë. E rëndësishme është që të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor të çiklizmit dhe të ngitet mirë. Më poshtë mund të lexoni për avantazhet e saj.

Çiklizmi për shëndetin

Si të gjitha llojet e ushtrimeve me intensitet të moderuar, çiklizmi i rregullt (3 deri në 5 herë në javë për një total prej 150 minutash) do të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, do të përmirësojë shëndetin e përgjithshëm dhe mundet edhe të ulë rrezikun e disa formave të kancerit. Çiklizmi do të përmirësojë kapacitetin aerobik dhe durimin, ashtu sikundër do të tonifikojë muskujt si edhe kofshët. Një orë çiklizëm mund të djegë rreth 250 dhe 700 kalori, në varësi të intensitetit. Ai është edhe një zvogëlues i mirë i stresit.
Për ato që mund të jenë mbipeshë ose mund të kenë probleme të nyjeve, gjë e cila i bën të vështira ushtrimet e peshave, çiklizmi është një opsion i mirë i fitnesit.

Përfitimet e mundshme shëndetësore të çiklizmit

Çiklizmi i rregullt në një nivel të shëndetshëm mund të ketë efekte dobiprurëse për organet dhe sistemin e trupit.

Zemra dhe sistemi i qarkullimit

Kur ushtroni, zemra rreh më fortë dhe pompon më shumë gjak rreth trupit për të furnizuar me oksigjen mjaftueshëm muskujt, në mënyrë që ato të kryejnë punën. Në pushim, zemra pompon 4 litra gjak në minutë, por gjatë aktiviteteve aerobike të moderuara siç është çiklizmi, kjo rritet në afërsisht 20 litra gjak për minutë.
Të ushtruarit në këtë mënyrë e bën zemrën që të jetë më e madhe dhe më e fuqishme. Ky lloj ushtrimi gjithashtu ndihmon në parandalimin e krijimit të depozitave dhjamore në arteriet e zemrës (arterie koronare). Kjo është arsyeja se përse njerëzit që marrin pjesë në aktivitete fizike të rregullta kanë një rrezik të ulët të sëmundjes kardiovaskulare krahasuar me ata që nuk marrin pjesë.

Presioni i gjakut

Aktivitetet e rregullta aerobike siç është çiklizmi mund të parandalojnë ose të ndalojnë zhvillimin e presionit të lartë të gjakut dhe të ulin presionin e lartë të gjakut.

Kolesteroli

Ushtrimet e rregullta aerobike mund të ulin nivelet e kolesterol-it, ashtu sikundër të përmirësojnë profilin e kolesterolit duke rritur nivelin e kolesterolit të mirë (kolesteroli HDL) ndaj kolesterolit të keq (kolesteroli LD) në gjak.

Truri

Njerëzit të cilët marrin pjesë në ushtrime të rregullta kanë një nivel më të ulët të yndyrave në gjak dhe profile lipidesh më të mira, në krahasim me të tjerët. Kjo nënkupton se ata kanë më pak mundësi që të zhvillojnë sëmundjen arterial-e, që është një faktor rreziku për atake.

Muskujt dhe nyjet

Ushtrimet që përmirësojnë forcimin e muskujve, koordinimin dhe ekuilibrin, zvogëlojnë mundësinë e rënieve tek të moshuarit dhe përmirësojnë lëvizjen dhe lubrifikimin e muskujve. Këto ushtrime përmirësojnë gjithashtu edhe qëndrimin dhe ekuilibrin.
Çiklizmi i lehtë, ndihmon personat që vuajnë nga artriti, në lirimin e dhimbjeve të nyjeve, ënjtjeve dhe rritjes së fleksibilitetit.

Mushkëritë

Rritja e ngadaltë në gjak e nivelit të dioksidit të karbonit (dyoksidi i karbonit) që ndodh gjatë të ushtruarit, sjell rritjen e frymëmarrjes (një rritje në ventilim-in e mushkërive). Ky veprim rrit edhe dërgimin e oksigjenit në mushkëri, që mund të merret pastaj nga gjaku për t’u furnizuar me oksigjenin shtesë. Ushtrimet e rregullta aerobike siç është çiklizmi do të përmirësojnë ventilimin e mushkërive dhe efikasitetin.
Aktivitetet me intensitet të moderuar siç është çiklizmi mund të ulin edhe rrezikun e kancerit të mushkërive.

Tëmthi

Kërkuesit kanë raportuar gjithashtu se biçikleta dhe aktivitetet e tjera fizike për 30 minuta në ditë mund të ndihmojnë gratë që të shmangnin kirurgjinë e gurit në tëmth. Njerëzit të cilët ushtrojnë, i kanë zorrët më aktive. Këto, së bashku me përmirësimin e profilit të kolesterolit që ndodh gjatë të ushtruarit të rregullt, mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të gurëve në tëmth.

Mosfunksionimi erektil dhe çiklizmi

Ushtrimet e moderuara të cilat bëhen në një bazë të rregullt zakonisht përmirësojnë funksionin e trupit. Megjithatë, disa çiklistë meshkuj kanë raportuar dëmtim të organit gjenital dhe impotencë afatshkurtër pas periudhave të zgjatura dhe të përsëritura të çiklizmit. Kjo është për shkak të një furnizimi të reduktuar të gjakut në zonën e perineumit. Tek meshkujt zona e perineumit është ndërmjet skrotumit dhe anusit. Kjo zonë mund të ngjeshet pasi çiklisti ulet në shalë dhe mund t’i nënshtrohet një joharmonie me sipërfaqet e tokës (disniveleve). Për pjesën më të madhe të çiklistëve meshkuj, pasojat kanë tendencë që të limitohen në disa minuta mpirje, menjëherë pas një kohe të gjatë çiklizmi.
Megjithatë, rezultati i një analize të një studimi të gjatë (në 1700 meshkuj), i quajtur Studimi i Moshës së Meshkujve në Masachusets tregoi se gjithashtu çiklizmi në më pak se 3 orë në javë nuk ishte e lidhur me mosfunksionimin erektil, çiklizmi në më shumë se 3 orë në javë mund të jetë i lidhur me një rrezik në rritje. Për këtë arsye, meshkujt duhet të marrin parasysh masat e mëposhtme për të zvogëluar rrezikun e mosfunksionimit erektil:

– Ngarjen e një biçiklete të përshtatshme;
-Të paturit e një shale të rehatshme; dhe
-Të veshurit e pantallonave të shkurtra të përshtatshme për çiklizëm.
-Është gjithashtu e rekomandueshme që njerëzit të përpiqen për të pozicionuar shalën në mënyrë që të minimizojnë presionin mbi perineum. Blerja e një shale të mirë, me mbështetje të mirë për kockat e legenit mund të ndihmojë në parandalimin e këtij problemi. Ulëset e ngushta janë ato që sjellin një presion maksimal mbi perineum.

Një studim i 2004 ndaj 463 çiklistëve tregoi se tiparet kryesore që lidheshin me një rritje të mosfunksionimit erektil ishin:

– Ngarja e një biçiklete në një rrugë malore në krahasim me ngarjen e saj në një rrugë të thjeshtë;
– Vuajtja nga mpirja perineale;
– Të paturit e një timoni të lartë ose paralel me shalën.

Nëse çiklizmi shkakton mpirje apo ndjesi shpimi gjilpërash në zonën gjenitale, bëni një pushim dhe rregulloni pozicionin tuaj të shalës.

Cilat janë të mirat e çiklizmit?

Të mirat e biçikletës janë të shumta, sidomos ato psikologjike. Është kënaqësi e madhe t’i japësh biçikletës në ajër të pastër, duke shmangur gjithmonë zonat me trafik. Biçikleta duhet të përdoret nga të gjithë, sidomos nga gratë, sepse ndihmon në uljen e nivelit të akumuluar të stresit. Veç të tjerash, ngarja e biçikletës është një lloj sporti që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Çfarë do të thotë kjo?

Që çiklizmi, edhe në nivel amatorial, ka një funksion të dyfishtë. Nga njëra anë ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare tek ata persona që e kanë trashëgimi familjare, ose te gratë duhanpirëse. Ndërsa, nga ana tjetër, përdoret si një terapi e vërtetë rehabilituese për personat që kanë pasur probleme kardiake.

Sepse çiklizmi është një sport rezistence. Duke pedaluar ndihmon forcimin gradual të zemrës, përmirëson frymëmarrjen dhe metabolizmin muskulor. Natyrisht të gjitha këto dobi nuk arrihen menjëherë, por dalëngadalë me kalimin e kohës dhe pa e tepruar, sidomos kur nuk jemi të rinj.

Këshilla të veçanta…

Duhet të jeni të kujdesshëm, sidomos kur gjendeni në trafik. Duhet të mbani kaskë në kokë. Më e rëndësishmja është të zgjidhni një biçikletë jo shumë të madhe, që ta manovroni me lehtësi. Pra të jetë në proporcion me gjatësinë dhe peshën. Të gjitha pjesët mekanike duhet të jenë në gjendje të mirë pune. Edhe veshja duhet të jetë e përshtatshme: nuk është e nevojshme të keni rrobat e një çiklisti profesionist, por mjafton një bluzë pambuku dhe një palë pantallona të shkurtra. Këshillohen këto të fundit, sepse është e sigurt që nuk ngatërrohen nëpër rrota dhe e bëjnë më të lehtë pedalimin. Bëni kujdes edhe me këpucët që vishni: biçikleta nuk mund të ngitet me këpucë me taka dhe me majë. Mirë do të ishin këpucët e tenisit. Gjithashtu këshillohet që të mbahen edhe syze dielli: ju mbrojnë nga pluhuri dhe insektet e ndryshme.

What do you think?

0 points
Upvote Downvote

Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Comments

0 comments

Një tjetër arsye e fortë për ngrënien e mëngjesit: është e shëndetshme për zemrën tuaj

Manaferra, aspirina natyrale ndaj çdo sëmundjeje