Shtrëngimi i duarve, një gjest që flet shumë për ne…

0 41

Shtrëngimi i duarve, si të gjithë e dimë, mund të jetë një fushë e minuar.

A duhet t’i përshtatemi forcës me të cilën na jep personi tjetër dorën, apo duhet t’ia shtrëngojmë më fort? Sa duhet të zgjasë shtrëngimi i duarve? A i keni larë duart më parë? A duhet t’ i mbani erë gishtave pasi i keni dhënë dorën dikujt? A duhet të vendosni dorën tjetër mbi dorën e personit, apo ta vendosni në shpatullën e tij? Apo përqafimi është i këshillueshëm?

Dhe tani, ne mësojmë se ky gjest mirësjelljeje, është edhe një parashikues i sëmundjeve serioze.

Studimi i publikuar në The Lancet javën e kaluar, zbuloi se një dhënie dore e lehtë mund të jetë sinjal për rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Studimi ndërkombëtar 4-vjeçar, që përfshin 140 mijë të rritur nga 17 vende, doli në konkluzionin se dhënia e dorës është një parashikues më i mirë i vdekjes së parakohshme se sa testet e tensionit të gjakut.

Kërkimet e reja tregojnë se njerëzit me shtrëngime duarsh të dobët kanë gjasa të vuajnë nga atakët në zemër. Por sikur vetëm kjo të mos mjaftonte, ja 4 arsye të tjera pse duhet të kontrolloni më fort dorën tuaj.

Ka më shumë gjasa të vdisni të rinj

Nuk janë vetëm ataket në zemër që janë të lidhura me mënyrën e shtrëngimit të duarve. Një studim i bërë në mbi një milion adoleshentë meshkuj në Suedi, mes viteve 1951 dhe 1976, zbuloi se fuqia e dhënies së dorës është e lidhur me vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare, por lidhej edhe me rrezikun e lartë të vetëvrasjes.

Keni më pak gjasa të gjeni një partner intim

Në vitin 2007, Gordon Gallup, një psikolog evolucionist në Universitetin Albany në SHBA, publikoi një studim që tregonte se njerëzit me shtrëngim dore më të fortë se mesatarja, kishin mundësi të rritura intime, që lidhej me një numër më të lartë partnerësh intimë. Ai gjithashtu zbuloi se meshkujt me shtrëngim dore të fortë kishin tendencën të ishin më agresivë, dominantë e më mashkullorë.

Keni më pak gjasa të jeni të mirëarsimuar

Vitin që kaloi, Warren Sanderson, një profesor ekonomie në Universitetin Stony Brook, dhe Sergei Scherbov, drejtor i Institutit të Sistemit të Aplikuar, publikuan një hulumtim që arriti në përfundimin se njerëzit e mirë arsimuar kanë një shtrëngim duarsh më të fortë se ata më pak të edukuar. Ata zbuluan se forca e shtrëngimit të dorës së një 65-vjeçari më pak të arsimuar ishte e barabartë me forcën e dorës së një 70-vjeçari të mirë arsimuar. Kështu që sa më shumë i arsimuar të jetë një person, aq më ngadalë plaket ai.

Keni më pak gjasa të keni sukses në një intervistë pune

Një studim i kryer në mars të këtij viti zbuloi se shtrëngimi i lehtë i dorës është një nga gabimet më të madhe që njerëzit bëjnë në një intervistë pune. Ky konkluzion u arrit nga Front of House Recruitment që shpjegon se punëdhënësit ndjenin një mungesë besimi dhe entuziazmoi në mesin e kandidatëve për punë që shtrëngonin dorën lehtë.

Gjithashtu mund të lexoni
Komentet
Po ngarkohet...